2 perditesime
19:04

Vetëvendosja dhe LDK-ja finalizuan programin, marrëveshja nënshkruhet të hënën

Javën e ardhshme pritet të nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Grupet punuese të të dyja subjekteve politike të premten kanë mbajtur takimin e fundit, ku u tha se u pajtuan për programin qeverisës, raporton KTV.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje pas takimit, tha se drafti i programit qeverisës pas marrëveshjes së nënshkruar, do të bëhet publik.

Derisa paralajmëroi një takim tjetër mes dy liderëve, Albin Kurtit e Isa Mustafës, të cilët edhe do të vendosin për ministritë dhe çështjen e presidentit.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se në takimin e së premtes u përmbyllën të gjitha çështjet e politikave sektoriale.

Haziri ka deklaruar se beson që Qeveria e re do të qeverisë përtej një mandati.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve të 6 tetorit, grupet punuese të këtyre dy partive janë takuar disa herë, për t’i afruar qëndrimet lidhur me sektorë të ndryshëm, nga sundimi i ligjit e deri te kultura dhe sporti.

Derisa të enjten dy liderët, Kurti e Mustafa u takuan për herë të parë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

16:14

Haziri: Nuk ka çështje që e ndalon arritjen e marrëveshjes me VV-në

​Nënkryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri pas takimit të grupeve punese me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se ndarja e përgjegjësive, struktura e qeverisë janë çështje që do të diskutohen në ditët në vazhdim nga liderët e partive.

Haziri tha se për çështjen e pozitës së presidentit është tejkaluar.

“Nuk ka çështje që e parandalon arritjen e marrëveshjes”, tha Haziri.

15:17

Kurti e Mustafa takohen para së hënës, marrëveshja për koalicion shumë shpejt

Ka përfunduar takimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Albulena Haxhiu nga LV, pas takimit në një konferencë për media, theksoi se takimi mes liderëve Albin Kurti e Isa Mustafa do të mbahet para së hënës, ndërsa marrëveshja për koalicion të arrihet në fillim të javës së ardhshme.

“Sa i përket çështjes të ndarjes së pozitave, do të vendosin liderët në takimin që besoj se do të mbahet para së hënës dhe marrëveshja mund të arrihet në fillim të javës së ardhshme”, tha Haxhiu.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar që ka pasur pajtime mes tyre.

Image